09/10/2026
Disa të dhëna mbi Urën e Kamares në Elbasan
Ura e Kamares
Ura e Kamares, një bukuri mesjetare e lënë në harresë. Ura e Kamares është një urë mesjetare e ndërtuar rreth viteve 1714 dhe ka pasur disa periudha ndërtimi, ku gjatë periudhës Osmane ka pësuar edhe një rindërtim. Kjo urë u ndërtua nga Ahmeti nga Elbasani, sipas mbishkrimit Turqisht në pllakën e gurit të Kamarës, e cila sot ruhet në muzeun e Librazhdit.
Ura e Kamares ndodhet në fshatin Mirakë. Kjo urë është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit.
Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre.
Ura e Kamares është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5 m.
Ura është e vendosur mbi tre qemerë, të ndërtuar me gurë ngjyrë gri në të bardhë si vetë përbërja e malit të Murrash*t.
Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët.
Ajo ka marrë këtë emërtim për shkak të një kamareje që ndodhet në anën e djathtë të saj.
Në vendin ku është ngritur ura, shtrati i lumit është mjaft i gjerë.
Në bregun e majtë ura mbështetet në formacion shkëmbor të malit të Polisit, ndërsa mbështetja e djathtë është mbi zhavorrishten e shtratit të lumit.
Në kohën e ndërtimit të saj, ajo lidhte rrugën mesjetare të karvanëve që vinte nga Elbasani e që prej urës së Haxhi Beqarit kalonte majtas lumit, duke ndjekur trasenë e rrugës antike Egnatia, për të vazhduar në Korçë e më tej në Maqedoni, Greqi deri në Stamboll.Gjithashtu, tek ura e Kamares shkëputej dega rrugore që lidhte Elbasanin me krahinën e Dibrës nëpërmjet Klenjës e Zerqanit.
Një monument i tillë nuk duhet të kujtohet vetëm si pjesë e historisë së rrugëve të vjetra që lidhnin Elbasanin me krahinat lindore. Ai është vetë një dëshmi e mjeshtërisë së ndërtuesve të dikurshëm dhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të zonës. Prandaj nevojitet një vlerësim i plotë teknik i gjendjes së saj, i shoqëruar me masa konkrete për mirëmbajtjen, konsolidimin dhe mbrojtjen nga dëmtimet e mëtejshme.
Ura e Kamares nuk ka nevojë vetëm të admirohet për atë që ka qenë; ajo ka nevojë të mbrohet që të vazhdojë të jetë aty edhe për brezat që do të vijnë.
Fotot (1,2,3)në dimrin e vitit kalu, (4) 2007,(5,6) 1986 dhe (7,8) vitet’40.
Punoi: Fatos Bajraktari