instituti-inspire.org

Wegbeschreibung Website Service kontaktieren

instituti-inspire.org Instituti Inspire është një organizatë kërkimore dhe akademike e përkushtuar ndaj avancimit të dijes shkencore dhe teknologjike. Mayo

Themeluar me misionin për të nxitur bashkëpunimin ndërdisiplinor, ne sjellim së bashku studiues, akademikë dhe profesionistë. "The aim of medicine is to prevent disease and prolong life; the ideal of medicine is to eliminate the need of a physician." ~ Dr. William J.

Bota po elektrifikohet: Transformimi energjetik dhe sfidat e një epoke të reNë hulumtimin e tij, Adhurim Haxhimustafa an...
30/10/2026

Bota po elektrifikohet: Transformimi energjetik dhe sfidat e një epoke të re

Në hulumtimin e tij, Adhurim Haxhimustafa analizon transformimin e sistemit energjetik global dhe rritjen e rolit të energjisë elektrike në transport, ngrohje, industri dhe ekonominë digjitale. Ky ndryshim nuk lidhet vetëm me mënyrën e prodhimit të energjisë, por edhe me mënyrën se si ajo shpërndahet, konsumohet dhe ndikon në sigurinë energjetike të vendeve.

Hulumtimi shpjegon se elektrifikimi dhe dekarbonizimi janë dy procese të ndërlidhura të tranzicionit energjetik. Përhapja e automjeteve elektrike dhe pompave termike, krahas rritjes së prodhimit nga energjia diellore dhe ajo e erës, po ndryshon strukturën e kërkesës dhe furnizimit me energji. Një dallim i rëndësishëm është se rritja e konsumit të elektricitetit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të konsumit të përgjithshëm të energjisë, pasi teknologjitë elektrike shpesh janë më efikase se ato që zëvendësojnë.

Një dimension tjetër i rëndësishëm është siguria dhe ndërvarësia energjetike. Burimet e ripërtëritshme mund të zvogëlojnë varësinë nga importi i vazhdueshëm i karburanteve fosile, por krijojnë varësi të reja nga teknologjitë, mineralet, komponentët dhe infrastruktura. Në këtë kontekst, lidhjet ndërkufitare dhe bashkëpunimi rajonal kanë rëndësi për shkëmbimin e energjisë, shfrytëzimin më efikas të burimeve dhe sigurinë e furnizimit.

Hulumtimi vë në pah edhe një nga sfidat kryesore të sistemit energjetik të së ardhmes: nuk ka rëndësi vetëm sa energji elektrike prodhohet, por edhe kur dhe ku është e nevojshme. Prodhimi nga dielli dhe era varet nga kushtet atmosferike, ndërsa elektrifikimi i transportit dhe ngrohjes mund të krijojë kulme të reja të konsumit. Për këtë arsye, bëhen gjithnjë e më të rëndësishme modernizimi i rrjeteve elektroenergjetike, magazinimi i energjisë, kapacitetet rezervë dhe fleksibiliteti i konsumatorëve.

Në përfundim, transformimi energjetik nuk kërkon vetëm kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe sisteme të afta të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm, të përballueshëm dhe me ndikim më të ulët në mjedis. Këto zhvillime do të përcaktojnë funksionimin e sistemit energjetik në dekadat e ardhshme.

https://instituti-inspire.org/artikulli/bota-po-elektrifikohet-transformimi-energjetik-dhe-sfidat-e-nje-epoke-te-re

Anestezia regjionale: përparësitë në kujdesin perioperativDr. Adem Nika, në artikullin e tij, trajton rëndësinë e aneste...
20/10/2026

Anestezia regjionale: përparësitë në kujdesin perioperativ

Dr. Adem Nika, në artikullin e tij, trajton rëndësinë e anestezisë regjionale në ndërhyrjet kirurgjikale, duke u fokusuar në përparësitë e saj krahasuar me anestezinë e përgjithshme, veçanërisht te pacientët e moshuar dhe ata me disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Anestezia regjionale mundëson bllokimin e përçimit nervor në një zonë të caktuar të trupit dhe përdoret në një gamë të gjerë ndërhyrjesh kirurgjikale. Përmes bllokadave të nervave periferikë dhe teknikave spinale e epidurale, ajo mundëson kontroll efektiv të dhimbjes dhe mund të reduktojë nevojën për opioide.

Artikulli thekson disa përparësi të kësaj metode, përfshirë kontrollin më të mirë të dhimbjes pas operacionit, reduktimin e disa komplikimeve kardiopulmonare, mundësinë e uljes së rrezikut për delirium postoperator dhe mobilizimin më të hershëm. Këta faktorë mund të ndihmojnë në rikuperimin funksional të pacientëve dhe, në raste të caktuara, në shkurtimin e qëndrimit në spital.

Përdorimi i ultrazërit dhe stimulimit nervor ka kontribuar në rritjen e sigurisë dhe saktësisë së teknikave të anestezisë regjionale. Megjithatë, kjo metodë ka edhe kufizime dhe rreziqe të mundshme, si dëmtimet nervore, toksiciteti nga anestetikët lokalë dhe bllokadat jo të plota. Për këtë arsye, zgjedhja e teknikës duhet të bëhet në bazë të gjendjes së pacientit, llojit të ndërhyrjes dhe vlerësimit profesional të ekipit mjekësor.

Artikulli nënvizon se anestezia regjionale përbën një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e kujdesit perioperativ, kur zbatohet me përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve dhe në përputhje me evidencën shkencore.

https://instituti-inspire.org/artikulli/anestezia-regjionale-ne-kirurgjine-e-gjymtyreve

Një zhvillim i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të pankreasitDr. Enver Bislimi trajton një zhvillim të ri në fushën e...
14/10/2026

Një zhvillim i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të pankreasit

Dr. Enver Bislimi trajton një zhvillim të ri në fushën e onkologjisë: miratimin e daraxonrasibit (RASONQUE) nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), më 26 gusht 2026, për një grup të caktuar pacientësh të rritur me adenokarcinomë metastatike të pankreasit.

Daraxonrasibi është një terapi e targetuar që frenon aktivitetin e proteinave të familjes RAS, të cilat kanë rol të rëndësishëm në rritjen dhe përhapjen e qelizave tumorale. Bari merret në formë tablete, një herë në ditë.

Sipas rezultateve të paraqitura nga studimi klinik i fazës III RASolute 302, ku u përfshinë 500 pacientë të trajtuar më parë, mbijetesa mesatare e raportuar ishte 13,2 muaj me daraxonrasib, krahasuar me 6,7 muaj me kimioterapinë standarde të përdorur në studim. Ky rezultat përfaqëson një diferencë prej rreth 6,5 muajsh në mbijetesën mesatare, por nuk parashikon jetëgjatësinë e secilit pacient.

Dr. Bislimi thekson se, pavarësisht potencialit të kësaj terapie, ajo nuk është e përshtatshme për çdo pacient. Përzgjedhja duhet të bëhet nga ekipi onkologjik, duke marrë parasysh gjendjen klinike, trajtimet e mëparshme dhe profilin e sigurisë. Ndër efektet anësore të raportuara janë skuqja e lëkurës, diarreja, stomatiti, të përzierat dhe lodhja, ndaj trajtimi kërkon mbikëqyrje mjekësore.

Ky zhvillim sjell mundësi të reja për një sëmundje që vazhdon të përbëjë sfidë të madhe për mjekësinë moderne. Rezultatet përfaqësojnë një arsye për optimizëm të matur dhe për vazhdimin e kërkimeve shkencore, duke ruajtur njëkohësisht kujdesin në vlerësimin dhe përdorimin e terapive të reja.

https://instituti-inspire.org/artikulli/nje-zhvillim-i-rendesishem-ne-trajtimin-e-kancerit-te-pankreasit

08/10/2026

Ylli Sadikaj mbron me sukses doktoratën në Universitetin e Vjenës

Anëtari i Inspire Institute, Ylli Sadikaj, ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Universitetin e Vjenës, në fushën e shkencave kompjuterike.

Disertacioni i tij, “Joint Multi-modal Representations for Clustering and Anomaly Detection”, i realizuar nën udhëheqjen e Prof. Claudia Plant, në grupin hulumtues Data Mining and Machine Learning, trajton një nga sfidat e rëndësishme të inteligjencës artificiale: nxjerrjen e njohurive nga të dhëna komplekse që vijnë nga burime dhe forma të ndryshme, përfshirë grafe, imazhe dhe tekst.

Në kuadër të doktoratës, Ylli ka zhvilluar metoda për përfaqësimin e përbashkët të grafeve multiplex me atribute, duke kombinuar strukturën e rrjeteve, karakteristikat e nyjeve dhe informacionin e klasifikimit. Këto qasje janë zhvilluar përmes kontributeve të publikuara në konferenca prestigjioze ndërkombëtare si KDD, WWW dhe ICDM.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së tij është zbulimi dhe segmentimi vizual i anomalive. Përmes qasjes MultiADS, Ylli ka trajtuar identifikimin dhe lokalizimin e llojeve të ndryshme të defekteve në produkte, edhe në raste kur nuk ekzistojnë paraprakisht shembuj vizualë të defekteve të reja.

Një prej kontributeve të tij, SpectralMix, u vlerësua me çmimin “Best Student Paper” në KDD 2021, një nga konferencat kryesore ndërkombëtare në fushën e data mining dhe shkencës së të dhënave.

Gjatë doktoratës, Ylli ka zgjeruar përvojën e tij kërkimore edhe përmes një qëndrimi në University of Michigan, të mbështetur nga Austrian Marshall Plan Foundation, si dhe përmes punës kërkimore në Bosch Center for AI, duke lidhur kërkimin akademik me sfidat e inteligjencës artificiale në industri.

Urime, Dr. Ylli Sadikaj! 🎉
Inspire Institute ju uron suksese të mëtejshme në rrugëtimin tuaj akademik dhe kërkimor!

Neuro-Symbolic AI: Drejt sistemeve më të besueshme dhe të shpjegueshme të inteligjencës artificialeProf. Ass. Dr. Lavdim...
02/10/2026

Neuro-Symbolic AI: Drejt sistemeve më të besueshme dhe të shpjegueshme të inteligjencës artificiale

Prof. Ass. Dr. Lavdim Halilaj, anëtar i Institutit INSPIRE, trajton zhvillimin e Neuro-Symbolic AI (NeSy), një qasje që synon të bashkojë aftësinë e rrjetave neurale për të mësuar nga të dhënat me rigorozitetin e arsyetimit logjik dhe simbolik.

Një nga shembujt që ilustron këtë qasje është AlphaGeometry i DeepMind, i cili kombinon një model gjuhësor që gjeneron ide me një motor deduksioni simbolik që i verifikon ato në mënyrë rigoroze. Kjo arkitekturë pasqyron idenë e dy sistemeve të të menduarit: një sistem intuitiv, të shpejtë dhe një sistem analitik, të ngadaltë, por të bazuar në rregulla logjike.

Artikulli e lidh këtë zhvillim me një debat të gjatë filozofik mes racionalizmit dhe empirizmit, i cili në inteligjencën artificiale shfaqet si dallimi ndërmjet sistemeve simbolike, të mbështetura në rregulla formale, dhe rrjetave neurale, të cilat mësojnë modele nga përvoja dhe të dhënat. Neuro-Symbolic AI synon të ndërthurë këto dy qasje, duke shfrytëzuar përparësitë e secilës dhe duke adresuar disa nga kufizimet e tyre.

Prof. Ass. Dr. Lavdim Halilaj shqyrton gjithashtu aplikimet e kësaj teknologjie në fusha të ndryshme. Në ngasjen autonome, integrimi i rrjetave neurale me Knowledge Graphs mund të ndihmojë në njohjen e objekteve, kuptimin e skenave të trafikut dhe parashikimin e sjelljes së pjesëmarrësve. Në sistemet e rekomandimeve, njohuritë mbi kontekstin dhe situatën mund të kombinohen me preferencat e përdoruesve, ndërsa në industri, metodat neuro-simbolike po përdoren për identifikimin e shkaqeve të anomalive dhe analizën e proceseve komplekse.

Në robotikë, këto qasje mundësojnë kombinimin e perceptimit me planifikimin simbolik të veprimeve, ndërsa në shëndetësi po hulumtohen për sisteme diagnostikuese që ndërthurin analizën e të dhënave klinike me rregullat mjekësore, duke synuar vendime më të kuptueshme për profesionistët.

Përkundër potencialit, Neuro-Symbolic AI vazhdon të përballet me sfida, veçanërisht në shpjegueshmëri, besueshmëri, meta-kognicion dhe siguri kibernetike. Këto fusha kërkojnë hulumtime të mëtejshme për të kuptuar dhe përmirësuar mënyrën se si sistemet hibride mësojnë, arsyetojnë dhe shpjegojnë vendimet e tyre.

Përmes këtij trajtimi, Lavdim Halilaj vë në pah rëndësinë e integrimit të njohurive simbolike me të mësuarit nga të dhënat, si një drejtim kërkimor që synon të zhvillojë sisteme të inteligjencës artificiale më fleksibile, të përgjithësueshme dhe të shpjegueshme.

https://instituti-inspire.org/artikulli/neuro-symbolic-ai-pertej-shqisave-si-po-i-jepet-logjika-inteligjences-artificiale

Qeverisja klinike: Forcimi i cilësisë dhe sigurisë së pacientit në KosovëDr. Petrit Mulaku trajton rëndësinë e qeverisje...
27/09/2026

Qeverisja klinike: Forcimi i cilësisë dhe sigurisë së pacientit në Kosovë

Dr. Petrit Mulaku trajton rëndësinë e qeverisjes klinike si një qasje të integruar për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe garantimin e sigurisë së pacientit.

Qeverisja klinike ndërthur praktikën e bazuar në evidencë, auditimin klinik, menaxhimin e rrezikut, zhvillimin profesional, përfshirjen e pacientit dhe lidershipin klinik në një sistem të vetëm të përmirësimit të kujdesit.

Në thelb, qëllimi është që cilësia të mos trajtohet vetëm si reagim ndaj gabimeve, por si një proces proaktiv dhe i vazhdueshëm: identifikimi i rreziqeve, matja e performancës, analiza e rezultateve, mësimi nga incidentet dhe ndërmarrja e masave për përmirësim.

Ndër shtyllat kryesore të qeverisjes klinike janë efektiviteti klinik, siguria e pacientit, auditimi klinik, menaxhimi i rrezikut, zhvillimi i vazhdueshëm profesional, përfshirja e pacientit dhe lidershipi klinik. Këto elemente synojnë standardizimin e praktikave, uljen e gabimeve të parandalueshme, përmirësimin e rezultateve dhe krijimin e një kulture institucionale të sigurisë dhe mësimit.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet raportimit të incidenteve dhe “near miss”, analizës së shkaqeve, auditimit klinik dhe përdorimit të indikatorëve të performancës. Qasja e propozuar nuk synon kërkimin e fajtorëve, por identifikimin e dobësive të sistemit dhe mësimin prej tyre.

Në kontekstin e Kosovës, Petrit Mulaku evidenton disa sfida, ndër to variabilitetin e praktikave klinike, auditimin e kufizuar, raportimin jo të plotë të incidenteve, përdorimin e pamjaftueshëm të të dhënave dhe nevojën për forcimin e lidershipit klinik.

Për forcimin e këtij sistemi propozohet një qasje e strukturuar: strategji kombëtare për qeverisjen klinike, standardizim i udhëzimeve klinike, sisteme elektronike të raportimit dhe monitorimit, komitete funksionale të cilësisë dhe sigurisë, edukim i vazhdueshëm i stafit, kulturë e raportimit pa ndëshkim dhe përdorim sistematik i indikatorëve të performancës.

Sipas Petrit Mulakut, forcimi i qeverisjes klinike kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve shëndetësore, profesionistëve, universiteteve dhe aktorëve të tjerë të sistemit, me synimin për të ndërtuar një kulturë më të qëndrueshme të cilësisë, sigurisë dhe përgjegjshmërisë në kujdesin shëndetësor.

https://instituti-inspire.org/artikulli/qeverisja-klinike-forcimi-i-cilesise-sigurise-se-pacientit-dhe-ekselences-ne-kujdesin-shendetesor-ne-kosove

Kur të dhënat shndërrohen në paralajmërim: një sistem i integruar për përmbytjet, valët e të nxehtit dhe zjarretProf. Dr...
22/09/2026

Kur të dhënat shndërrohen në paralajmërim: një sistem i integruar për përmbytjet, valët e të nxehtit dhe zjarret

Prof. Dr. Alban Kuriqi, në kuadër të punës së tij në fushën e hidrologjisë dhe menaxhimit të rreziqeve ujore, sjell një qasje të integruar për monitorimin dhe paralajmërimin e hershëm të disa prej rreziqeve natyrore më të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Sistemi i zhvilluar monitoron në një platformë të vetme përmbytjet, valët e të nxehtit dhe zjarret në natyrë, duke përpunuar të dhëna meteorologjike dhe hidrologjike dhe duke i shndërruar ato në harta, nivele paralajmërimi dhe informacion të kuptueshëm për institucionet, ekspertët dhe komunitetet lokale.

Platforma përdor të dhëna për reshjet, temperaturën, temperaturën e perceptuar, lagështinë relative, erën dhe prurjet e lumenjve. Informacioni paraqitet në nivel bashkie, komune dhe qarku, ndërsa sistemi ofron katër horizonte kohore: situatën aktuale, 0–6 orë, 6–72 orë dhe 3–10 ditë.

Një nga veçoritë kryesore është se sistemi nuk kufizohet vetëm në paraqitjen e të dhënave të motit. Ai i analizon ato në funksion të rrezikut, duke ndihmuar në identifikimin e zonave ku situata mund të përkeqësohet dhe ku kërkohet vëmendje më e madhe.

Përditësimi automatik çdo 30 minuta, hartat tematike, grafikët, tabelat, analizat e tendencave dhe krahasimi me gjendjen e mëparshme e bëjnë platformën një mjet për ndjekjen e dinamikës së rrezikut.

Në rastin e përmbytjeve, një paralajmërim më i hershëm mund të ndihmojë institucionet në përgatitjen e masave për rrugët, urat, sistemet e kullimit, rezervuarët dhe zonat e ekspozuara. Për valët e të nxehtit, informacioni mund të mbështesë masat për mbrojtjen e grupeve më të ekspozuara, ndërsa për zjarret kombinimi i temperaturës, lagështisë, reshjeve dhe erës ndihmon në evidentimin e kushteve më të favorshme për ndezje dhe përhapje.

Sipas Prof. Dr. Alban Kuriqi, projekti është ende në zhvillim dhe parashikon zgjerime të mëtejshme, përfshirë integrimin e stacioneve kombëtare meteorologjike e hidrologjike, sensorëve të lumenjve, radarëve të reshjeve, imazheve satelitore dhe të dhënave mbi popullsinë dhe infrastrukturën kritike.

Qëllimi është i qartë: të shndërrohet një sasi e madhe të dhënash në informacion praktik — ku është rreziku, sa serioz është dhe si mund të ndryshojë në orët apo ditët në vijim.

https://instituti-inspire.org/artikulli/a-mund-ti-parashikojme-rreziqet-perpara-se-te-godasin

Nga kompensimi te parandalimi: Si duhet mbrojtur bujqësia nga ndryshimet klimatike?Kujtim Lepaja, autor dhe ekspert i se...
17/09/2026

Nga kompensimi te parandalimi: Si duhet mbrojtur bujqësia nga ndryshimet klimatike?

Kujtim Lepaja, autor dhe ekspert i sektorit të bujqësisë, trajton në këtë analizë një nga sfidat gjithnjë e më të rëndësishme për fermerët në Kosovë: mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga fenomenet ekstreme klimatike, veçanërisht nga breshëri.

Brenda pak minutash, breshëri mund të shkatërrojë prodhimin, investimet dhe të ardhurat e një fermeri të krijuara gjatë një viti të tërë. Në kulturat shumëvjeçare, dëmi mund të jetë edhe më i madh, pasi dëmtimi i degëve, sythave frutorë dhe strukturës së bimës mund të ndikojë edhe në potencialin prodhues të viteve të ardhshme.

Ngjarjet e fundit në rajonin e Istogut, ku janë dëmtuar pemishte me mollë, e ilustrojnë këtë problem. Humbja nuk kufizohet vetëm te prodhimi i sezonit aktual, por mund të përfshijë edhe rehabilitimin e pemëve dhe uljen e prodhimit në sezonet pasuese.

Në këtë kontekst, çështja kryesore nuk është vetëm si të kompensohen fermerët pas dëmit, por si të krijohen mekanizma që e zvogëlojnë rrezikun përpara se dëmi të ndodhë.

Qasja moderne e menaxhimit të rrezikut në bujqësi bazohet pikërisht në këtë parim. Investimet në infrastrukturë mbrojtëse, teknologji moderne, sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe praktika të qëndrueshme të prodhimit mund të reduktojnë ekspozimin ndaj humbjeve. Sigurimet dhe instrumentet e tjera financiare mund të shërbejnë si mekanizma mbështetës, por nuk e zëvendësojnë mbrojtjen fizike të prodhimit.

Një shembull konkret nga Kosova vjen nga Gurakoci i Istogut, ku janë ngritur rreth 6 hektarë pemishte moderne me boronicë. Gjatë breshërit të fundit, dëmet në sipërfaqet e mbrojtura ishin pothuajse zero. Një nga arsyet kryesore ishte investimi që në fillim në rrjeta kundër breshërit, të instaluara paralelisht me ngritjen e pemishtes.

Ky shembull tregon rëndësinë ekonomike të investimit paraprak në mbrojtje. Për një hektar boronicë me prodhim mbi 10 tonë dhe çmim mesatar eksporti prej rreth 5.5 euro/kg, vlera potenciale e prodhimit mund të arrijë rreth 55,000 euro për hektar. Një dëmtim i plotë nuk nënkupton vetëm humbjen e frutit, por mund të prekë edhe tregun, kontratat e eksportit, cilësinë e prodhimit dhe kostot e rehabilitimit.

Përballë rritjes së rrezikut klimatik, ekzistojnë tashmë një sërë teknologjish dhe masash që mund të përdoren për mbrojtjen e fermave: rrjetat kundër breshërit, sistemet e monitorimit meteorologjik dhe paralajmërimit të hershëm, sensorët klimatikë, sistemet moderne të ujitjes, masat për mbrojtjen nga ngricat dhe teknologjitë e tjera të menaxhimit të rrezikut.

Në analizë përmenden edhe teknologji inovative, përfshirë sistemet me valë goditëse (Shock Waves), si një qasje alternative që po promovohet për menaxhimin e fenomeneve atmosferike ekstreme.

Për këtë arsye, politikat publike për bujqësinë duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt bashkëfinancimit të infrastrukturës mbrojtëse, teknologjive moderne, stacioneve meteorologjike dhe masave të adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Mesazhi kryesor është i qartë: kompensimi e trajton pasojën, ndërsa investimi në parandalim synon ta zvogëlojë vetë dëmin.

Ndryshimet klimatike tashmë janë një realitet për bujqësinë. Për një sektor konkurrues dhe të qëndrueshëm, fermerët kanë nevojë për mjete që i ndihmojnë të mbrojnë prodhimin, investimet dhe të ardhurat e tyre përpara se një fenomen ekstrem t'i vërë në rrezik.

Parandalimi ka një kosto, por mungesa e tij mund të kushtojë shumë më tepër.

https://instituti-inspire.org/artikulli/bujqesia-nuk-mbrohet-me-kompensime-por-me-investime

Përparimet shkencore në trajtimin e sëmundjeve kancerogjene me antitrupaInstituti INSPIRE sjell një përmbledhje mbi zhvi...
13/09/2026

Përparimet shkencore në trajtimin e sëmundjeve kancerogjene me antitrupa

Instituti INSPIRE sjell një përmbledhje mbi zhvillimet e rëndësishme në përdorimin e terapisë me antitrupa në trajtimin e sëmundjeve kancerogjene, me autor Enver Bislimi, nga Departamenti i Shkencave Natyrore dhe Shëndetësisë, Instituti INSPIRE, Prishtinë.

Antitrupat janë proteina të prodhuara nga sistemi imunitar që njohin në mënyrë specifike antigjene të caktuara. Falë kësaj specifike, në mjekësinë moderne janë zhvilluar antitrupa monoklonalë që mund të drejtohen ndaj objektivave të caktuara në qelizat kancerogjene, duke mundësuar trajtime më të targetuara.

Në trajtimin e kancerit, antitrupat mund të veprojnë në disa mënyra. Një prej tyre është bllokimi i receptorëve që nxisin rritjen dhe mbijetesën e qelizave tumorale. Një shembull i rëndësishëm është Trastuzumab, i cili lidhet me receptorin HER2 dhe pengon sinjalizimin që favorizon rritjen e tumorit. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe Cetuximab, që targeton receptorin EGFR, dhe Pertuzumab, i cili pengon çiftëzimin e HER2 me receptorë të tjerë të familjes HER.

Një mekanizëm tjetër është aktivizimi i sistemit imunitar për eliminimin e qelizave kancerogjene. Antitrupa si Rituximab dhe Daratumumab lidhen me proteina specifike në sipërfaqen e qelizave tumorale dhe i bëjnë ato objektiv për sistemin imunitar. Në këtë proces mund të përfshihen mekanizma të ndryshëm, si aktivizimi i komplementit (CDC), vrasja e ndërmjetësuar nga qelizat imunitare (ADCC) dhe fagocitoza e qelizave të shënjuara (ADCP).

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm janë antitrupat e konjuguar me barna (Antibody–Drug Conjugates – ADC). Në këtë qasje, një antitrup monoklonal lidhet me një substancë shumë të fuqishme kimioterapeutike dhe e orienton atë drejt qelizës tumorale. Shembuj të tillë janë Enfortumab vedotin (Padcev), Trastuzumab emtansin (Kadcyla) dhe Brentuximab vedotin (Adcetris). Pas lidhjes me objektivin, kompleksi mund të futet në qelizën kancerogjene dhe të çlirojë substancën që pengon ndarjen qelizore dhe shkakton vdekjen e saj.

Në këtë kuadër përfshihet edhe radioimunoterapia, ku një antitrup lidhet me një izotop radioaktiv dhe e orienton rrezatimin drejt qelizave tumorale. Zevalin është një shembull i kësaj qasjeje, duke targetuar antigjenin CD20 në qelizat B. Antitrupat e lidhur me radioizotope mund të kenë gjithashtu përdorime diagnostikuese.

Antitrupat mund të ndikojnë edhe në mikroambientin e tumorit. Bevacizumabi, për shembull, lidhet me VEGF-A dhe pengon sinjalet që nxisin formimin e enëve të reja të gjakut, proces i njohur si angiogjenezë, i cili është i rëndësishëm për zhvillimin e tumorit.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit është imunoterapia përmes frenimit të pikave të kontrollit imunitar. Qelizat tumorale mund të përdorin mekanizma si PD-1/PD-L1 për të dobësuar aktivitetin e qelizave T dhe për t’i shpëtuar sulmit të sistemit imunitar. Antitrupat që bllokojnë këto pika kontrolli, si Nivolumab dhe Pembrolizumab kundër PD-1, Durvalumab dhe Atezolizumab kundër PD-L1, si dhe Ipilimumab kundër CTLA-4, synojnë të heqin këtë “frenim” dhe të rikthejnë aktivitetin antitumoral të qelizave T.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm janë antitrupat bispecifikë, të cilët mund të lidhen njëkohësisht me dy objektiva të ndryshëm. Në trajtimin e kancerit, njëri krah mund të lidhet me qelizën tumorale, ndërsa tjetri me qelizën T përmes CD3, duke i afruar këto qeliza dhe duke ndihmuar në aktivizimin e përgjigjes imunitare kundër tumorit. Ndër shembujt e përmendur janë Epcoritamab, Glofitamab dhe Teclistamab.

Krahas efektivitetit të tyre, këto terapi mund të shoqërohen me efekte anësore, veçanërisht reaksione inflamatore dhe dëmtime të organeve të shëndetshme. Në varësi të rastit, menaxhimi i këtyre efekteve mund të kërkojë trajtim me kortikosteroide dhe, kur është e nevojshme, terapi të tjera imunosupresive.

Një sfidë e rëndësishme mbetet edhe kostoja e lartë e këtyre terapive, e cila kufizon qasjen e një numri të madh pacientësh, veçanërisht në shtetet me burime më të kufizuara. Sfida të tjera lidhen me reduktimin e efekteve anësore, depërtimin e antitrupave në tumore të vështira për t'u trajtuar dhe parandalimin e zhvillimit të rezistencës ndaj trajtimit.

- E ardhmja e terapisë me antitrupa

Zhvillimet e ardhshme përfshijnë krijimin e antitrupave bispecifikë dhe multispecifikë, zgjerimin e përdorimit të ADC-ve, zhvillimin e gjeneratave të reja të frenuesve të pikave të kontrollit imunitar dhe përzgjedhjen e terapive në bazë të karakteristikave molekulare të tumorit dhe profilit të pacientit.

Një drejtim veçanërisht interesant është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale për projektimin e antitrupave të rinj, përmirësimin e lidhjes së tyre me objektivat dhe parashikimin e efektivitetit dhe sigurisë së tyre.

Këto zhvillime e bëjnë terapinë me antitrupa një nga fushat me potencial të madh në mjekësinë moderne, duke synuar trajtime gjithnjë e më specifike, të personalizuara dhe efektive kundër sëmundjeve kancerogjene.

Artikulli i plotë: https://instituti-inspire.org/artikulli/perparimet-shkencore-ne-trajtimin-e-semundjeve-kancerogjene-me-antitrupa

Rezultatet e PISA-s: Nga alarmi te diagnoza kombëtare e arsimitRezultatet e fundit të PISA-s duhet të shihen si një alar...
09/09/2026

Rezultatet e PISA-s: Nga alarmi te diagnoza kombëtare e arsimit

Rezultatet e fundit të PISA-s duhet të shihen si një alarm serioz për gjendjen e arsimit në Kosovë. Ato nuk duhet të prodhojnë vetëm shqetësim publik, debat politik apo kërkim të fajtorëve, por mbi të gjitha duhet të na shtyjnë të bëjmë një pyetje themelore:

Pse kemi ardhur deri këtu?
Rezultatet e dobëta të nxënësve nuk janë produkt i një faktori të vetëm dhe as i një institucioni të vetëm. Ato janë pasojë e një sistemi kompleks, ku ndërthuren cilësia e mësimdhënies, përgatitja dhe mbështetja e mësimdhënësve, udhëheqja e shkollave, zbatimi i kurrikulës, vlerësimi i nxënësve, menaxhimi institucional, pabarazitë sociale dhe ekonomike, si dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në procesin e të nxënit.

Për këtë arsye, Instituti INSPIRE vlerëson se hapi i parë nuk duhet të jetë nxitimi drejt masave të reja, por një analizë e plotë, profesionale dhe e paanshme e shkaqeve të problemit.

Një analizë e tillë duhet të synojë të përgjigjet në tri pyetje të thjeshta, por thelbësore:

- Ku është problemi?
- është krijuar?
- Çfarë duhet ndryshuar për ta përmirësuar gjendjen?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, nuk mjafton vetëm analiza e rezultateve të PISA-s. Nevojitet një vlerësim më i gjerë i sistemit arsimor, duke kombinuar të dhënat për rezultatet e nxënësve me informacionin për shkollat, familjen, mësimdhënësit, komunat, institucionet qendrore dhe faktorët tjerë socialë që ndikojnë në mësim-nxënie.

Një proces i tillë nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga një institucion apo nga një grup i ngushtë ekspertësh. Prandaj, INSPIRE propozon krijimin e një grupi të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të analizës, ku do të përfshiheshin përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, universiteteve, industrisë dhe bizneseve, profesionistëve të arsimit, mësimdhënësve, drejtuesve të shkollave, prindërve, studiuesve dhe ekspertëve (edhe nga diaspora) nga fusha të tjera relevante.

Përfshirja e perspektivave të ndryshme është thelbësore, sepse problemet e arsimit nuk janë vetëm pedagogjike. Ato lidhen edhe me menaxhimin, ekonominë, politikat sociale, zhvillimin institucional, demografinë dhe tregun e punës.

Detyra e këtij grupi nuk duhet të jetë prodhimi i një raporti tjetër të përgjithshëm, por identifikimi i qartë i:

- faktorëve kryesorë që kanë çuar në rezultatet aktuale,
- lidhjeve ndërmjet këtyre faktorëve,
- problemeve që kanë ndikimin më të madh në mësim-nxënie,
- prioriteteve që duhet të trajtohen të parat, dhe
- masave që janë realiste për kontekstin dhe kapacitetet e Kosovës.
Vetëm pasi të kemi një diagnozë të përbashkët dhe të mbështetur në evidencë, mund të flasim me seriozitet për zgjidhjet.

Kosova nuk ka nevojë për reagime të nxituara pas çdo cikli të PISA-s. Ka nevojë për një proces të organizuar që fillon me të kuptuarit e problemit dhe vazhdon me vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Prandaj, për ne, mesazhi kryesor i rezultateve të fundit është i qartë “PISA duhet të jetë pikënisja e një diagnoze kombëtare të arsimit, jo fundi i debatit”. Nëse duam të ndryshojmë rezultatet, së pari duhet të kuptojmë me saktësi pse i kemi këto rezultate.

https://instituti-inspire.org/artikulli/perspektiva-e-institutit-inspire-pisa-si-alarm-per-nje-analize-serioze-te-sistemit-arsimor

Adresse

Lagjia Kodrina Nr. 4
Erfurt
10000

Benachrichtigungen

Erfahren Sie als Erste/r von Neuigkeiten und Aktionen: Wir schicken Ihnen eine E-Mail, wenn instituti-inspire.org etwas veröffentlicht. Ihre E-Mail-Adresse wird für keinen anderen Zweck verwendet, und Sie können sich jederzeit abmelden.

Service Kontaktieren

Nachricht an instituti-inspire.org senden:

Verknüpfungen

Teilen

Gesundheits- Und Schönheitsfirmen in der Nähe