01/07/2026
Skin booster është një nga trajtimet më të avancuara në mjekësinë estetike për përmirësimin e cilësisë së lëkurës.
Skin booster është trajtim injektabil që synon hidratimin e thellë të lëkurës, përmirësimin e elasticitetit, strukturës dhe shkëlqimit të saj. Ndryshe nga filler-at, që përdoren për të krijuar volum ose për të konturuar fytyrën, skin booster fokusohet. në rigjenerimin dhe përmirësimin e vetë lëkurës.
Jo të gjithë skin booster-at janë të njëjtë. Disa janë kryesisht hidratues dhe përmbajnë acid hialuronik (HA), ndërsa të tjerë kanë edhe efekt biostimulues, duke stimuluar prodhimin e kolagjenit dhe elastinës. Në varësi të produktit, ato mund të përmbajnë edhe aminoacide, peptide, vitamina, minerale, antioksidantë, polinukleotide (PN/PDRN), hidroksiapatit kalciumi në përqendrime të caktuara ose përbërës të tjerë rigjenerues që përmirësojnë cilësinë e lëkurës.
Zgjedhja e produktit nuk duhet të bëhet sipas preferencës së pacientit, por pas një vlerësimi profesional të lëkurës. Mjeku përcakton se cili skin booster është më i përshtatshëm, bazuar në moshën, gjendjen e lëkurës, problemin që dëshirohet të trajtohet dhe rezultatet që synohen.
Në përgjithësi rekomandohen 2–3 seanca, me interval 2–4 javë, ndërsa më pas bëhen seanca mirëmbajtëse çdo 4–6 muaj, në varësi të produktit të përdorur dhe nevojave individuale.
Skin booster mund të aplikohet në fytyrë, qafë, dekolte dhe duar, duke ofruar një rezultat shumë natyral: lëkurë më të hidratuar, më elastike, më të shndritshme dhe me cilësi dukshëm më të mirë.
Mos harroni se trajtimi ideal nuk është ai që është më i famshëm, por ai që është i duhuri për lëkurën tuaj. Prandaj, konsultimi me mjekun është hapi më i rëndësishëm për të arritur rezultate të sigurta dhe natyrale.